Falsifikonin dokumente dhe trafikonin makina nga Italia – Policia arreston 3 pronarët e një agjencie doganore
Strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, njoftojnë se në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe trafikimit të automjeteve nga shtetet e tjera drejt vendit tonë, si rezultat i informacioneve të mara në rrugë operative, kanë mirë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ado”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ekzekutimi i masave “Arrest në burg”, për shtetasit: E. H., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim; S. H., 63 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. H., si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit F. H., për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim.
Policia informon se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të përsëritur kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë trafikuar automjete nga Italia drejt vendit tonë, duke shfrytëzuar agjencinë doganore që kishin në pronësi dhe gjithashtu nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.