Familjarët shmangin pagesat për ujin – 3.5 mld lekë borxhe ndaj UKT-së, problem periferia
Konsumatorët familjarë janë më problematikët sa i përket pagesave me korrektësi të faturave të ujit të pijshëm në kryeqytet. Në fund të Qershorit 2018 shuma e borxheve të akumuluara nga klientët që marrin shërbimin e ujit të pijshëm, ka arritur në rreth 4.3 miliardë lekë, ku 3.5 miliardë i takojnë vetëm konsumatorëve familjarë.
Të dhënat janë bërë me dije nga Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë, ku duket se borxhi total në 6 muajt e parë të viti ka ardhur në rritje progresive.
Ndërsa UKT po vijon me intensitet reformën në sektorin e ujit të pijshëm, reformë që për bizneset ka filluar në muajin Shkurt dhe për klientët familjarë në muajin Qershor, shifrat tregojnë që numri i debitorëve vijon të mbetet i lartë, dhe në muajin mars ka arritur totalin prej rreth 81.337, ku sërish numrin më të lartë e zënë familjarët.
Duhet theksuar se sistemi i kategorizon automatikisht si debitorë edhe klientët që nuk paguajnë në datën e caktuar detyrimet për ujin e pijshëm.
Kryesisht, më problem janë konsumatorët në ish komuna që me reformën administrative-territoriale u janë bashkuar Tiranës. Ndërkohë që edhe pse zënë peshën më të vogël në shifrën e debisë, rezultojnë 546 institucione shtetërore që janë në borxh me UKT-në, dhe që kanë treguar mungesë korrektese në pagesën e ujit të pijshëm.
Sa i përket numrit të bizneseve, 13.727 prej tyre paraqesin problem me pagesat.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.