Familjet jo përfituese nga skema e re e ndihmës ekonomike – Bashkitë fond të kushtëzuar deri në 6%

Prezantimi i sistemit të ri të pikëzimit për familjet dhe individët që përfitojnë ndihmë ekonomike mund të lërë disa prej tyre jashtë skemës së përfitimit.
Për këto familje qeveria ka akorduar një fond të kushtëzuar të bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind, i cili do të jetë kompetencë e bashkive.
Këshilli Bashkiak do të ketë të drejtën të akordojë dhënien e ndihmës ekonomike për këto familje jashtë sistemit të pikëzimit. Fondit prej 6 për qind mund t’i shtohen edhe fonde nga buxheti vendor.
Familjet që mund të përfitojnë nga ky fond i kushtëzuar do të përzgjidhen nga lista e familjeve që kanë aplikuar brenda tre muajve të fundit përmes regjistrit elektronik.
Kriteret për familjet që do të trajtohen me ndihmë ekonomike nga ky fond do të miratohen në fillim të vitit nga Këshilli Bashkiak, ndërsa familjet e zgjedhura do të miratohen me vendim të këtij institucioni.
Për këto familje duhet të jetë kryer më parë vlerësimi social ekonomik nga administratori shoqëror.
Nga ky fond përjashtohen familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike nga sistemi i pikëzimit dhe ato familje që nuk kanë aplikuar për ndihmë ekonomike sipas vendimit të fundit të qeverisë.
Për më shumë lexo:
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.