“Fati” i Fly Ernest vendoset në 13 janar – Vonesa e anulime fluturimesh, AAC: Pasagjerët të kërkojnë kompensim e rimbursim
Pas pezullimit të licencës nga Autoriteti i Aviacionit Italian për kompaninë Fly Ernest, pasagjerët po përballen me vonesa të gjata e anulime fluturimesh.
Ndërkohë që, në një prononcim për TV SCAN, Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar bën me dije se cilat janë hapat që duhet të ndërmarrin këta pasagjerë për të siguruar fluturimin apo kompensimin për pagesën e kryer.
Fillimisht AAC sqaron se vendimi përfundimtar, nëse kompanisë do i revokohet licenca dhe certifikata e operimit do të merret në datën 13 janar, kur kompania do të duhet të vërtetojë nëse ka garanci financiare të nevojshme për vijimin e aktivitetit.
Ndërkaq, sipas AAC-së, duke qenë se kompania ka ende një licencë aktive, pasagjerët duhet të marrin masat që deri në këtë datë të lidhen në telefon me shërbimin e klientit të kompanisë në shtetin fqinj (aty ku kanë blerë biletën) dhe të përpiqen të sigurojnë një vend në fluturimet që kompania po kryen.
Nëse pasagjerët nuk e kryejnë dot fluturimin me Ernest dhe zgjedhin të presin një biletë me një kompani tjetër, atyre u rekomandohet të bëjnë kërkesën për rimbursim dhe kompensim nëpërmjet sistemit të kompanisë në faqen e tyre në internet.
Sipas Aviacionit Civil, është shumë e rëndësishme që pasagjerët të bëjnë kërkesat për rimbursim dhe kompensim si i vetmi mekanizëm mbrojtës në dispozicionin e tyre sipas ligjit të BE-së.
Ndërkohë që, në rast se kompania do dështojë t’i tregojë autoritetit italian, aftësinë për të mbajtur të vlefshme licencën e operimit, asaj do i duhet të zbatojë hapat e mëtejshëm sipas legjislacionit Italian, por mbetet e paqartë procedura që do të ndiqet me rimbursimet në rast të revokimit të licencës.
Sipas AAC-së, në këtë situatë pasagjerët këshillohen të zbatojnë udhëzimet që do të dalin në vijim nga autoriteti italian apo entitete të tjera shtetërore në vendin fqinj.
Kompania Ernest zotëron rreth 16% të tregut të fluturimeve në Shqipëri, ndërkohë që gjatë gjithë vitit që sapo lamë pas ajo ka regjistruar një numër të konsiderueshëm anulimesh e vonesa fluturimesh. Vetëm për nëntorin e 2019-ës, kjo kompani regjistroi 4 vonesa mbi 2 orë dhe një anulim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.