Fatkeqësitë ekstreme të motit që sollën rreth 1.5 miliardë dollarë dëme secila në 2021!

Ngjarjet e motit, të lidhura me ndryshimin e klimës, u sollën mjerim miliona njerëzve në mbarë botën në vitin 2021, sipas një raporti të ri. Studimi, nga shoqata bamirëse Christian Aid, identifikoi 10 ngjarje ekstreme ku secila shkaktoi më shumë se 1.5 miliardë dollarë dëme.
Ndikimet më të mëdha financiare ishin nga uragani Ida që goditi SHBA-në në gusht dhe përmbytjet në Europë në korrik. Në shumë rajone më të varfra, përmbytjet dhe stuhitë shkaktuan zhvendosje masive të njerëzve dhe vuajtje të rënda. Jo çdo ngjarje ekstreme e motit shkaktohet ose lidhet me ndryshimet klimatike, megjithëse shkencëtarët janë bërë më të guximshëm në eksplorimin e lidhjeve.
Në gusht, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) publikoi pjesën e parë të raportit të tij të gjashtë të vlerësimit. Në lidhje me uraganet dhe ciklonet tropikale, autorët thanë se kishin “besim të lartë” se dëshmitë e ndikimit njerëzor janë forcuar. Vetëm disa javë pasi ky raport doli, uragani Ida goditi SHBA-në.
Sipas Christian Aid, kjo ishte ngjarja e motit më shkatërruese financiarisht e vitit. Uragani i ngadalshëm bëri që mijëra banorë në Luiziana të evakuoheshin nga rruga e tij. Kjo stuhi solli reshje masive shiu në një numër shtetesh dhe qytetesh, me Nju Jorkun që lëshoi për herë të parë një alarm emergjence për përmbytje. Rreth 95 njerëz vdiqën, me humbjet ekonomike të vlerësuara në 65 miliardë dollarë.
Ngjarja e dytë më e kushtueshme financiare ishte përmbytjet e përhapura në Gjermani, Francë dhe vende të tjera europiane në korrik. Shpejtësia dhe intensiteti i ujit pushtoi mbrojtjen dhe 240 persona humbën jetën. Dëmet e raportuara ishin rreth 43 miliardë dollarë.
Në studim, shumica e ngjarjeve të motit në listë kanë ndodhur në vendet e zhvilluara. Kjo për shkak se është më e mundshme të vlerësohen humbjet financiare nga pretendimet për siguracione dhe këto janë zakonisht të disponueshme në vendet më të pasura, ku njerëzit mund të përballojnë të sigurojnë shtëpitë dhe bizneset e tyre.
Sipas kompanisë së sigurimeve Aon, viti 2021 ka të ngjarë të jetë hera e katërt në pesë vjet që katastrofat natyrore globale kanë kushtuar më shumë se 100 miliardë dollarë. Raporti gjithashtu dokumenton shumë ngjarje të tjera ku ndikimi financiar është më i vështirë për t’u konstatuar, por ku ndikimi te njerëzit është i rëndësishëm.
Përmbytjet në Sudanin e Jugut zhvendosën mbi 800,000 njerëz, ndërsa 200,000 u detyruan të shpërnguleshin për t’i shpëtuar ciklonit Tauktae që goditi Indinë, Sri Lankën dhe Maldivet në maj.
Raporti thekson nevojën për përpjekje të shtuara për frenimin e emetimeve të dioksidit të karbonit për të reduktuar ndikimet e ardhshme të motit. Ajo gjithashtu u bën thirrje diplomatëve globalë të klimës që të vendosin paratë e tyre aty ku janë dhe të ndihmojnë vendet më të varfra që pësojnë humbje të mëdha ekonomike.
Në bisedimet globale të klimës COP26 në Glasgow, kjo çështje e financimit për humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ngjarjet e lidhura me klimën pa një mosmarrëveshje të madhe midis vendeve. Vendet në zhvillim donin para – më të pasurit thanë se ne kemi nevojë për më shumë bisedime për këtë çështje. BBC
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.