Fatura e Brexit – Juncker: Do të llogaritet me detaje, arrin në $62 miliardë

Fatura e Britanisë për daljen nga Bashkimi Europian do të arrijë në 62 miliardë dollarë, thotë Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, duke paralajmëruar kryeministren e Britanisë Theresa May, e cila po përgatitet të nisë procesin formal të daljes.
Presidenti i Komisionit tha se kjo nuk synon ndëshkimin e Britanisë për daljen nga blloku, por se Bashkimi Europian duhet të frenojë vendet e tjera për të bërë të njëjtën gjë.
“Duhen llogaritur me detaje angazhimet e Britanisë dhe pastaj duhet paguar fatura”, tha ai duke konfirmuar se shifra arrin në 62 mld dollarë.
Theresa May planifikon të nisë negociatat 2-vjeçare të daljes nga BE më datë 29 Mars, duke vendosur nën fuqi Nenin 50 të Traktatit të Lisbonës.
Shuma e faturës së Brexit do të jetë një nga çështjet e para që do të diskutohet dhe ministrat britanikë kanë thënë se vendi nuk ka për detyrim një shifër kaq të madhe.
Deklarata e Juncker përbën sinjalin e parë nga Komisioni Europian mbi përmasën e faturës, dhe është shifër e ngjashme me vlerësimet e mëparshme.
27 vendet anëtare të Bashkimit Europian do të festojnë 60-vjetorin e Traktatit të Romës ditën e Shtunë, kësaj radhe pa Britaninë.
Debatet mes Britanisë dhe BE mbi shumën e faturës së Brexit, që përfshin detyrime si pensionet për zyrtarët e BE-së, projekte të infrastrukturës dhe programin e shpëtimit të Irlandës, do të përbëjnë pengesat e para në negociata.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.