Fatura e Brexit – Mediat britanike tregojnë për një ofertë në 50 mld euro, paundi rritet

Britania ka ofruar të paguajë në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, për të shlyer të ashtuquajturën “faturën e divorcit”, duke hequr një nga barrierat kryesore drejt arritjes së dakordësive tregtare, tregojnë burimet e Bashkimit Europian për Reuters. Kjo ofertë, që sipas mediave britanike vlerësohet në rreth 50 miliardë euro, përmbush pjesën më të madhe të shumës që BE kërkon.
Zyrtarët e Bashkimit Europian theksuan se bisedimet janë ende në proces, mes Theresa May, presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe përfaqësuesit europian në negociata, Michel Barnier. Megjithatë, sipas tyre, qasja e britanisë është premtuese dhe janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje mbi detyrimet financiare.
Megjithatë, ka patur edhe paralajmërime se Britania nuk ka bërë ende një ofertë zyrtare dhe dakordësia e 27 vendeve anëtare nuk duhet të merret si e mirëqenë. Sekretari për Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, David Davis, refuzoi të pranojë se është arritur një dakordësi mbi detyrimin financiar, por shtoi se pret një marrëveshje të mirë për Britaninë dhe se kjo do të konfirmohet në samitin e BE në datën 14-15 Dhjetor.
BE caktoi kusht për progres në 3 çështje kryesore, përpara se të pranojë kërkesat e Londërs për një pakt tregtar. Këto kushte përfshijnë; të drejtat e qytetarëve të BE në Britani, çështjen me kufirin e Irlandës së Veriut si dhe faturën e divorcit. Paundi Britanik u rrit me 1% kundër dollarit pasi investitorët monitoruan raportimet, dhe kuotohej në 1.3411 në nisje të sesionit tregtar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.