Fatura tatimore e Elon Musk në SHBA: 11 miliardë dollarë. Tesla: 0 dollarë!
Elon Musk është mburrur vazhdimisht (ose, ndoshta, është ankuar) se do të paguajë më shumë taksa federale për vitin 2021 sesa ka paguar dikush ndonjëherë – rreth 11 miliardë dollarë. Por Tesla me sa duket nuk do të paguajë asnjë cent.
Tesla mund të mos planifikojë të paguajë taksa federale në të ardhmen e parashikueshme – edhe pse kompania sapo raportoi vitin e saj më fitimprurës ndonjëherë. Në vitin 2021, Tesla regjistroi të ardhura neto prej 5.5 miliardë dollarësh dhe të ardhura të rregulluara prej 7.6 miliardë dollarësh.
Por ‘të varrosur’ në një shënim në dosjen e saj në Komisionin përkatës të vendit, Tesla raporton se operacionet e saj në SHBA humbën 130 milionë dollarë vitin e kaluar mbi bazën para taksave. Ajo pretendon se të gjitha fitimet e saj para taksave – më shumë se 6 miliardë dollarë – erdhën nga operacionet jashtë shtetit, edhe pse 45% e të ardhurave të saj vinin nga shitjet në SHBA.
Megjithëse Tesla tregon se fatura e saj e taksave të huaja arriti në 839 milionë dollarë, fatura e taksave shtetërore ishte vetëm 9 milionë dollarë. Dhe fatura e saj e taksave federale ishte zero.
Ekspertët thonë se humbja prej 130 milionë dollarësh në operacionet e saj në SHBA ka shumë të ngjarë për shkak të një praktike të zakonshme për korporatat shumëkombëshe amerikane: duke i strukturuar operacionet e tyre në mënyrë që filialet jashtë shtetit të jenë ato që raportojnë të ardhurat, duke e lënë operacionin e SHBA të ketë pak ose aspak të ardhura të tatueshme për të raportuar.
Për shembull, një kompani mund t’i caktojë pronësinë e saj intelektuale një prej atyre subjekteve të huaja dhe të ngarkojë njësinë e saj në SHBA një tarifë për përdorimin e kësaj prone. Dhe kështu, operacioni i huaj është shumë fitimprurës, ndërkohë që kompania amerikane e ngarkuar me “kosto” ndaj vetë kompanisë raporton ose humbje ose shumë pak të ardhura.
Një raport i fundit nga Departamenti i Thesarit i SHBA zbuloi se 61% e fitimeve ndërkombëtare të kompanive shumëkombëshe amerikane janë të rezervuara në shtatë vende të vogla — Bermuda, Ishuj Kajman, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Singapori dhe Zvicra — të njohura si parajsa fiskale.
Është një praktikë që shumë zyrtarë të zgjedhur dhe administrata Biden janë zotuar se do ta godasin. Megjithatë, Kongresi deri më tani ka dështuar të ndërmarrë veprime për ta ndaluar atë.
Megjithatë, dorëzimi financiar nga Tesla nuk tregon se çfarë bëri saktësisht. Për shembull, nuk tregon se në cilin vend ose vende ka bërë fitimin e tij gjatë raportimit të një humbjeje në SHBA. Dhe Tesla nuk pranon t’i përgjigjet pyetjeve në lidhje me taksat e saja. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.