Faturimet e energjisë me vlerë referuese – Sistemi i i ri, ERE: Në 3 muaj u regjistruan 2221 ankesa
2221 ankesa u regjistruan pranë Furnizuesit të Shërbimit Universal për faturimet e energjisë elektrike me vlerë referuese për periudhën mars-maj 2020. Të dhënat bëhen me dije nga Enti Rregullator i Energjisë, duke iu referuar sistemit të ri të faturimit që u zbatua në funksion të akteve normative të qeverisë për frenimin e përhapjes së COVID-19. Sipas këtij sistemi, të gjithë klientët aktivë të kategorisë familjare dhe jo familjare, për të cilët ishte i pamundur aksesimi i sistemit të matjes, u faturuan me vlerë referuese zëvendësuese me të njëjtin konsum të muajit mars 2019 dhe në vijim me muajt respektivë të 2019.
Kjo nënkuptonte, që vlera e faturës do të ishte e njëjtë me muajin e një vitit më parë, pavarësisht nivelit të konsumit të energjisë elektrike. Ndërkohë që, diferencat që rezultonin ndërmjet faturimit me vlerë referuese zëvendësuese dhe vlerës reale të konsumit do të sistemoheshin brenda muajit të parë te përfundimit të afateve kohore të akteve normative të sipërpërmendura. Gjatë vendosjes së këtij sistemi, ai u kundërshtua më së shumti nga bizneset, të cilët për shkak të mbylljes nuk kishin konsum energjie, por që iu duhej të paguanin faturat, njësoj sikur të kishin qenë në punë.
Megjithatë, ky sistem i ri faturimi nuk lidhet drejtpërdrejt me situatën e krijuar nga COVID-19, por është një detyrim ligjor që duhej të kishte nisur prej kohësh nga ana e FSHU-së dhe OSSH-së. Sipas rezolutës së Kuvendit për vitin 2020, ERE duhej të caktonte afate konkrete për 2 kompanitë e krijuara nga ndarja e OSHEE-së për vënien sa më shpejt në punë të sistemit të ri të faturimit, të paktën në disa projekte pilot të identifikuara nga vetë OSSH-ja. Kjo pasi ky sistem lehtëson në mënyrë të ndjeshme leximin e matjes së energjisë, krijon mundësi dhe opsione të reja, duke përshirë edhe leximin periodik disamujor.
NUMRI I ANKESAVE PËR FATURIMET ME VLERË REFERUESE
Mars 2020 1789
Prill 2020 318
Maj 2020 114
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.