FCA kërkon transparencë – Vendos fondet britanike në presion mbi tarifat
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Mbretërinë e Bashkuar i kërkoi manaxhuesit të aktiveve që të japin më shumë informacion mbi mënyrat se si masin performancën e tyre, duke shtuar presion ndaj fondeve aktive që të justifikojnë tarifat.
Sipas mbikëqyrësit, manaxherët e fondeve do të duhet të ofrojnë një vlerësim të kostove të transaksionit për disa produkte. Kjo do të mundësojë investitorët që të krahasojnë më lehtë fondet në të gjithë industrinë.
FCA kërkon gjithashtu që të ndryshojë rregullat në mënyrë që tarifat mbi performancën të llogariten duke përjashtuar tarifat e tjera. Manaxherët e fondeve aktive kanë hasur vështirësi përballë rritjes së firmave pasive që thjesht ndjekin indekset (FTSE 100) e që kanë tarifa më të ulëta.
Sipas autoritetit të mbikëqyrjes, disa firma kanë ngarkuar tarifa si manaxhues aktivë ndërkohë që kanë operuar si fonde pasive me kosto më të ulëta.
“Është e rëndësishme që industria e manaxhimit të aktiveve, që manaxhon kursimet e miliona investitorëve, të operojë në mënyrë efiçente”, deklaroi mbikqyrësi.
Nën disa rregulla të reja të publikuara këtë javë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri gjithashtu të ditur se fondet duhet të caktojnë të paktën 2 drejtorë të pavarur në bordet e tyre dhe të ndërmarrin vlerësime vjetore të vlerës që ofrojnë për investitorët.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.