FED “ndalon” tkurrjen monetare – Do tregojë durim. Interesat janë ende poshtë mesatares historike
Rezerva Federale bëri të ditur se tkurrja monetare 3-vjeçare mund të ketë arritur fundin, ndërkohë që perspektiva për ekonominë e SHBA është zbehur për shkak të trazirave globale, përplasjeve tregtare dhe negociatat për buxhetin.
Banka mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar në takimin e muajit Janar dhe hodhi poshtë premtimet për “rritje graduale” të interesave, duke thënë se duhet treguar durim në lëvizjet e ardhshme.
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell tha se shanset për rritje të interesave janë ulur në javët e fundit, ndërkohë që rritja ekonomike jashtë vendit dhe mbyllja e qeverisë kanë zbehur perspektivën.
“Po përballemi me një perspektivë kontradiktore, ndërkohë që performanca makroekonomike është e fortë dhe janë shfaqur disa faktorë negativë. Logjika e manaxhimit të rrezikut tregon se duhet pritur për më shumë qartësi”.
Powell tha se ekonomia e SHBA me shumë gjasa do vazhdojë të rritet, por Fed ka më pak siguri në krahasim me muajin e kaluar.
Takimi i kësaj jave i Rezervës Federale ngriti dyshimet për një fund të luftës disa vjeçare për normalizimin e politikave monetare pas krizës së vitit 2008.
Norma bazë e interesit në 2.25-2.5% është shumë poshtë mesatares historike, dhe nëse nuk rritet, banka do të ketë pak hapësirë që ti kundërpërgjigjet ndonjë krize të ardhshme me uljen e interesave.
Kjo ngre gjithashtu dyshimet nëse ndryshimi i qëndrimit nga Rezerva Federale është një përgjigje ndaj Donald Trump apo trazirave në tregjet financiarë. Trump ka sulmuar disa herë bankën qendrore për rritjen e normave të interesit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.