Fed në optimizëm – Pret fuqizimin e ekonomisë dhe rritjen e inflacionit, monitoron Trump
Politikëbërësit e Rezervës Federale argumentojnë se ekonomia e SHBA do të vazhdojë të fuqizohet, ndjekur nga rritja e çmimeve në muajt e ardhshëm, sipas dokumentit të takimit të fundit të politikave monetare.
Procesverbali i takimit, ku të gjithë anëtarët e Komisionit Federal të Tregut të Hapur (FOMC) votuan për të rritur normën bazë të interesit, tregoi gjithashtu se ndikimi i politikave tregtare e fiskale të Trump po monitorohet me kujdes.
Norma bazë e interesit qëndron aktualisht në segmentin 1.5-1.75% dhe rritja e muajit Mars ishte e gjashta që kur nisi cikli i tkurrjes monetare në Dhjetor 2015. Ndërkohë që ekonomia ka fituar vrull, sistemi banka qendror ka përshpejtuar ritmin e tkurrjes. Institucioni projekton 2 rritje të tjera këtë vit.
Treguesi i Rezervës Federale mbi inflacionin arriti 1.6% dhe ka qëndruar poshtë objektivit prej 2% për 6 vite radhazi. Megjithatë, politikëbërësit kanë vëzhguar disa faktorë që pritet të sjellin nxitje të çmimeve në muajt e ardhshëm. Ata shohin gjithashtu një përshpejtim të ekonomisë, prej reduktimeve tatimore në 1.5 trilionë dollarë dhe rritjes së shpenzimeve qeveritare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.