Fed nuk ndërhyn – Pritet rritja e inflacionit këtë vit, Powell merr detyrën më 3 Shkurt

Rezerva Federale në SHBA mbajti normat e interesit të pandryshuara në takimin e kësaj jave, por bëri të ditur se inflacioni ka gjasa të përshpejtohet këtë vit, gjë që shtoi pritshmëritë e publikut se tkurrja monetare do të vazhdojë me kreun e ri të sistemit bankar qendror, Jerome Powell.
Fed, duke përmendur fuqizimin e tregut të punës, shpenzimet e mëdha private dhe investimet kapitale, deklaroi se pret që ekonomia të jetë e qëndrueshme dhe tregu i punës i fortë për 2018-ën.
“Inflacioni pritet të rritet këtë vit dhe të stabilizohet rreth objektivit prej 2% në terma afat-mesëm”, deklaruan zyrtarët e bankës pas takimit 2-ditorë, që është i fundit për Janet Yellen.
Në deklaratë, përmendej gjithashtu se Komisioni Federal i Tregut të Hapur ka zgjedhur në mënyrë unanime Powell si pasuesin Yellen, i cili do të marrë detyrën më datë 3 Shkurt. Powell, një bashkëpunëtor i Yellen, u nominua nga Donald Trump dhe u konfirmua më vonë nga Senati i Shteteve të Bashkuara.
Powell pritet të t’i përmbahet politikave të ndërmarra nga Yellen deri më tani, e cila nisi lëvizjen graduale për të rritur normat e interesit nga niveli afër zeros, ku kishin qëndruar që prej vitit 2009. Politikëbërësit e Rezervës Federale janë inkurajuar së fundmi, ndërkohë që ekonomia është përshpejtuar dhe norma e papunësisë ka rënë në nivelin më të ulët në 17 vite, në 4.1%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.