Fed nuk ndryshon politikat – Largohen rreziqet kryesore. Powell thekson ndikimin e virusit tek Kina
Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara mbajti interesat të pandryshuara në takimin e kësaj jave. Kryetari i sistemit bankar qendror, Jerome Powell, tha se ekonomia ndodhet në rritje mesatare ekonomike dhe tregu i punës vazhdon i fortë, duke mos dhënë sinjale të ndryshimit të kostove të huamarrjes.
“Ne mendojmë se politikat monetare janë të mirë-pozicionuara për t’i shërbyer popullit amerikan, duke mbështetur rritjen ekonomike, tregun e punës dhe rikthimin e inflacionit drejt objektivit tonë” është shprehur Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale
Vendimi i bankës për të mbajtur normën bazë të interesit në segmentin 1.5-1.75% ishte unanim. Powell theksoi se ekonomia botërore po stabilizohet dhe shqetësimet mbi tregtinë po largohen, ç’ka ishin dhe burimi kryesor i shqetësimeve, që kanë ndikuar edhe vendimet e Rezervës Federale vitin e kaluar. Megjithatë, ai shtoi se qëndrojnë ende pasiguri në perspektivë, përfshirë koronavirusin e ri. Përhapja e virusit të ri në Kinë ka sjellë shqetësime për një tjetër ngadalësim të ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.