Fed nuk surprizon – Mban normën bazë të pandryshuar, shanset për Dhjetorin rriten në 98%

Rezerva Federale mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar në përfundim të takimit dy-ditorë dhe tha se rritja e fortë ekonomike si dhe fuqizimi i tregut të punës do të sjellin rritjen e kostove të huamarrjes përsëri gjatë Dhjetorit. Investitorët nuk prisnin ndonjë ndërhyrje në takimin e kësaj jave dhe vëmendja qëndronte në kryetarin e radhës të Sistemit Bankar Qendror në SHBA, ndërkohë që mandati i Janet Yellen mbaron në Shkurt 2018.
Presidenti Donald Trump do të lajmërojë kandidatin, ku pritshmëritë qëndrojnë për Jerome Powell, i cili ka mbështetur qasjen graduale të Janet Yellen për rritjen e normës së interesit.
“Tregu i punës ka vazhduar të fuqizohet ndërsa aktiviteti ekonomik është rritur në një normë të qëndrueshme pavarësisht ndërprerjeve të lidhura me uraganet”, deklaroi Komisioni Federal i Tregut të Hapur.
Reagimi në bursa ishte i limituar, duke qenë se vendimi ishte i pritshëm. Megjithatë, kompania e shërbimeve financiare, CME, i vendosi shanset e ndërhyrjes në muajin Dhjetor në 98%.
Rezerva Federale ka rritur 2 herë normën bazë të interesit këtë vit, duke e çuar normën e fondeve federale në 1-1.25%. Fed deklaroi gjithashtu se po vazhdon me reduktimin e portofolit të obligacioneve dhe letrave me vlerë të kolateralizuara prej 4.2 trilionë dollarë, proces që e nisi në muajin Tetor. Takimi i radhës do të zhvillohet në 12 Dhjetor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.