Fed nxit dollarin – Pritet ndërhyrje në Dhjetor, do të nisë reduktimin e portofolit

Zyrtarët e Sistemit Bankar Qendror në Shtetet e Bashkuara mbajtën normën bazë të interesit të pandryshuar në përfundimin e takimit të muajit Shtator dhe bënë të ditur se pritet ende një rritje për këtë vit, pavarësisht inflacionit të ulët.
Rezerva Federale lajmëroi gjithashtu se do të nisë në muajin Tetor reduktimin e zotërimeve të titujve të thesarit dhe letrave me vlerë të kolateralizuara që arrijnë në 4.2 trilionë dollarë, instrumente të blera në vitet pas krizës financiare.
Në projeksionet e reja pas takimit 2-ditorë, 11 nga 16 zyrtarë e shohin nivelin e përshtatshëm të normës referencë të interesit në 1.25%-1.50% deri në fund të 2017-ës, apo 0.25% sipër nivelit aktual, çka nënkupton një ndërhyrje tjetër për këtë vit.
Interesat e titujve të Thesarit në SHBA u rritën, dollari u fuqizua dhe indekset e titujve të kapitalit prekën nivele rekord, pas përfundimit të takimit. Dollari arriti në 112.7 kundër jeni japonez dhe u fuqizua kundër euros gjithashtu.
Në deklaratën për politikat monetare, Rezerva Federale theksoi nivelin e ulët të papunësisë, rritjen e investimeve të bizneseve dhe zgjerimin e ekonomisë, për të justifikuar vendimet. Kryetarja e bordit të guvernatorëve, Janet Yelen, tha në konferencën pas takimit 2-ditorë se rënia e nivelit të çmimeve këtë vit mbetet e pashpjegueshme, duke shtuar se banka është gati të ndryshojë kursin e politikave nëse do të duhet.
Tashmë Rezerva Federale pret 3 rritje të normës bazë të interesit në vitin 2018, 2 ndërhyrje të tjera në vitin 2019 dhe 1 në 2020-ën. Banka uli gjithashtu vlerësimin e normës neutrale të interesit në 2.75% nga 3%.
Mbi portofolin e letrave me vlerë, zyrtarët thanë se do të reduktojnë 10 miliardë dollarë çdo muaj, duke ndaluar riinvestimin e instrumenteve që maturojnë. Limiti mbi riinvestimet pritet të rritet me 10 miliardë dollarë çdo 3-muaj, në një maksimum prej $50 miliardë/muaj, deri sa bilanci total të bjerë me të paktën 1 trilionë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.