FED për tregjet financiare – Paralajmëron se vlerat e aktiveve kanë dalë jashtë kontrollit

Zyrtarët e sistemit bankar qendror në SHBA janë optimist mbi rritje ekonomike, por kanë nisur të shqetësohen për daljen jashtë kontrolli të çmimeve në tregjet financiarë, gjë që rrezikon ekonominë më të madhe në botë.
Procesverbali i takimit të 31 Tetorit i Rezervës Federale, tregoi se anëtarët e bordit kishin një perspektivë pozitive mbi ekonominë, prej përmirësimit të tregut të punës, shpenzimeve konsumatore dhe manifakturës.
Në lidhje me inflacionin ka pasur mospërputhje, madje është diskutuar edhe ndryshimi i qasjes së Rezervës Federale në stabilitetin e çmimeve. Por, perspektiva e përgjithshme ishte pozitive, për më tepër, zyrtarët shtuan se situata mund të përmirësohet më tej nëse Kongresi ul taksën korporative nën reformën e planifikuar. Në lidhje me vlerat në tregun e kapitaleve, bisedimet ishin të kujdesshme.
Aksionet janë rritur bindshëm në vitin 2017, duke caktuar rekorde të reja çdo ditë dhe shtuar trilionë dollarë në vlerë. Kjo ka ardhur prej rezultateve pozitive të kompanive që listohen në bursë dhe pritshmërive për reformën tatimore, që do të ulë taksën për korporatat në 20% nga 35%.
“Në një kohë të mbivlerësimit të aktiveve dhe luhatshmërive të pakta në tregje, ekzistojnë shqetësime se përmbysja e kësaj performance do të dëmtojë ekonominë”, shkruhej në dokumentin e bankës.
Anëtarët e Komisionit Federal të Tregut të Hapur theksuan disa fusha të zhvillimeve pozitive. Tregu i punës po operon në kapacitet të plotë, Produkti i Brendshëm Bruto pritet në rritje të kënaqshme dhe inflacioni është ngadalësuar nga faktorë të përkohshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.