Fed, rezultati i takimit të Janarit – Rritja e inflacionit dhe uljet e taksave do ti japin vrull tkurrjes monetare
Komisioni Federal i Tregut të Hapur tregoi më shumë besim në vazhdimin e tkurrjes monetare gjatë takimit të fundit mbi politikat, ku shumica e politikëbërësve argumentuan se rritja e inflacionit do të përshpejtohet. Kjo e fundit ka gjasa të shtojë pritshmëritë që kryetari i ri Jerome Powell të rrisë normën bazë të interesit muajin e radhës.
“Anëtarët ranë dakord se fuqizimi i perspektivës afat-shkurtër ekonomike ka rritur gjasat e vazhdimit të tkurrjes monetare”, shkruhet në dokumentin e Fed. Dollari amerikan u rimëkëmb kundër shportës kryesore të valutave pas publikimit të dokumentit, yieldi i titujve 10-vjeçar të thesarit u rrit në nivelin më të lartë në 4 vite prej 2.95%, ndërsa titujt e kapitalit pësuan rënie.
Takimi i Janarit, i fundit për Janet Yellen, ndodhi përpara publikimit të të dhënave për inflacionin dhe punësimin. Përshpejtimi i inflacionit ka nisur të dominojë muajin e parë në detyrë të Jerome Powell. Rezerva Federale projekton aktualisht 3 rritje të normës bazë këtë vit. Treguesi i bankës mbi inflacionin ka qëndruar poshtë 2%-shit objektiv për thuajse 6 vite dhe në takimin e Janarit, thuajse të gjithë pjesëmarrësit treguan besim që do të arrihet niveli objektiv në terma afat-mesëm.
Një rritje e qëndrueshme e nivelit të çmimeve bashkuar me nxitjen nga administrata e Trump me reduktime tatimore në 1.5 trilionë dollarë, mund të bëjë që Rezerva Federale të përshpejtojë ritmin e tkurrjes monetare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.