FED shtyn projeksionet për politikat monetare / Sinjalizon rritje të interesave në 2023, nis bisedimet për programin e blerjeve

Rezerva Federale ka shtyrë projeksionet për një rritje të normave të interesit pas pandemisë në vitin 2023 dhe ka hapur debatin për kur dhe mënyrë se si do të reduktojë programin gjigant të blerjes së obligacioneve. Duke përmendur një gjendje të përmirësuar shëndetësore dhe rolin e vaksinimit në frenimin e koronavirusit, Banka Qendrore hoqi gjithashtu referencën ndaj pandemisë që po pengon rritjen ekonomike. Kryetari i bankës Jerome Powell, duke folur pas takimit 2-ditorë të politikave, tha se zyrtarët kanë nisur të bisedojnë për reduktimin e programit të blerjes së aktiveve prej 120 miliardë dollarë në muaj, që sipas politikëbërësve do vazhdojë deri sa të ketë progres të dukshëm drejt maksimizimit të punësimit dhe arritjes së objektivit të inflacionit në 2%. “Në takimet e ardhshme, komisioni do vazhdojë të vlerësojë progresin e ekonomisë drejt objektivave”- tha Powell. Ai refuzojë të japë udhëzim mbi kohën e ndryshimit të politikave, duke theksuar se duhet më shumë progres ekonomik. Powell tha gjithashtu se banka do të komunikojë me tregjet dhe publikun përpara se të bëjë një ndryshim të politikave. Një shumicë prej 11 nga 18 politikëbërës të Fed, presin të paktën 2 rritje të normës bazë të interesit me 0.25% në vitin 2023.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.