Fëmijët e emigrantëve, librat shqip në ambasada – Ndryshon ligji për Diasporën, programe për mësimin e gjuhës shqipe në distancë
Ndërsa ka vendosur të shfuqizojë Agjencinë e Diasporës dhe t’ia kalojë atributet e saj Ministrisë së Punëve të jashtme, Qeveria ka ndërmarrë edhe një seri ndryshimesh në ligjin për Diasporën. Rëndësi në projektligjin e sapo hedhur për konsultim publik i është dhënë nxitjes së fëmijëve të emigrantëve shqiptar të mos humbin kontaktet me gjuhën shqipe.
Shkak për të cilin në draft janë parashikuar programe të posaçme për inkurajimin e mësimit plotësues. “Ministri përgjegjës për punët e jashtme, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin, përgatit dhe zbaton programe për mësimin e gjuhës shqipe në distancë, organizon seminare trajnuese për mësuesit, promovon dhe merr masa të ndryshme për inkurajimin e mësimit plotësues për pjesëtarët e diasporës.”, përcakton një prej nenet e reja të draftit.
Rëndësi do i jepet edhe shpërndarjes së teksteve në gjuhën shqipe për fëmijët e diasporës, ku duket se do përdoret çdo mundësi përmes selive të përfaqësive diplomatike. “Botimi i teksteve shqip, të cilat i shërbejnë mësimit në diasporë, financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa procesi i shpërndarjes realizohet në bashkëpunim midis Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe MEPJ-së, përfaqësive diplomatike dhe konsullore të RSH-së. Qendra e Botimeve për Diasporën organizohet e funksionon në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin”, thekson drafti.
Ndërkohë që Ministrisë i ngarkohet detyra të promovojë dhe ruaj identitetin kombëtar të diasporës; të nxisë ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në diasporë; të nxitë bashkëpunimin ekonomik, shkencor, teknologjik, kulturor, arsimor, sportiv, ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës; si dhe të ofrojë informacione për investimet në Shqipëri”.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.