Fermat e mëdha agroblegtorale, si të aplikoni për licencë për mbarështim të kafshëve. Dokumentet dhe hapat që duhet të ndiqni

Personat që duan të pajisen me licencë për mbarështimin e kafshëve në një fermë të madhe Agroblegtorale, tashmë e kanë këtë mundësi, mund të marrin këtë shërbim duke klikuar në portalin E-Albania.
Aplikanti, para se të përdorë shërbimin, duhet të marrë dokumentet e nevojshme nga institucionet përkatëse që i japin ato. Shërbimi ofron mundësinë e ngarkimit të dy llojeve të dokumenteve:
-Dokumente origjinale të skanuara nga aplikanti, të cilat nevojiten të dorëzohen origjinale pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) pasi është kryer aplikimi online.
-Dokumente me nënshkrim elektronik, të cilat nuk duhet të dorëzohen pranë QKB-së. Për të marrë dokumente me nënshkrim elektronik, aplikanti duhet t’i kërkojë punonjësit të institucionit që gjeneron dokumentin që ta ngarkojë atë të nënshkruar elektronikisht në sistemin e AMS-së (Application Management System). Pas ngarkimit nga punonjësi i institucionit, aplikanti mund ta shkarkojë dokumentin e nënshkruar elektronikisht te “Hapësira ime”, në seksionin “Dokumentet e mia” tek E-Albania.
Pas përfundimit të aplikimit online, aplikanti duhet të dorëzojë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (me postë apo në sportel) versionin origjinal të dokumenteve të skanuara. Vetëm pasi të jenë dorëzuar këto dokumente në QKB, do të vijohet me trajtimin e aplikimit nga organet përkatëse brenda dhe jashtë këtij institucioni.
Nëse aplikimi për licencën e kërkuar aprovohet, aplikantit do t’i shfaqet licenca në profilin e tij tek E-Albania, në seksionin “Dokumentet e mia” te “Hapësira ime”. Gjithashtu aplikanti mund të tërheqë dokumentin e licencës në sportel, në rast mosaprovimi të dokumenteve apo licencës, aplikanti do të njoftohet me anë të e-mail-it edhe mbi arsyen e mosaprovimit.
Dokumentacioni i nevojshëm
Personat duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:
-Akti i regjistrimit te subjektit sipas legjislacionit ne fuqi;
-Dokument identifikimi të njohur nga ligji i personit që paraqet kërkesën ne emër të subjektit;
-Autorizim që vërteton se personi që paraqet kërkesën (kur ky nuk është vetë titullari i subjektit) në emër te subjektit është i autorizuar prej tij për të kërkuar licencim/leje;
-Përshtatshmëria e njohurive dhe eksperiencës së personelit;
-Certifikatë për Drejtuesin Teknik;
-Kontratë pune me Drejtuesin Teknik;
-Përshtatshmëria e pajisjeve, teknologjisë dhe mjediseve me standardet e veprimtarisë;
-Dokumente pronësie dhe/ose përdorimi;
-Planimetria e stabilimentit;
-Vetëdeklarim për përshtatshmërinë dhe plotësimin e standardeve tekniko-teknologjike dhe higjieno-sanitare të mjediseve dhe pajisjeve.
-Dokumentet e kritereve të listuar më sipër mund të ngarkohen në një nga format e mëposhtme;
-Te nënshkruara elektronikisht nga institucioni – Këto dokumente kanë të njëjtën vlerë ligjore me dokumentet origjinale në letër, prandaj nuk është e nevojshme të dërgohen origjinale me postë te QKB.
-Dokumente origjinale të skanuara (të panënshkruara elektronikisht) – Këto dokumente duhet të dërgohen origjinale me postë drejt QKB-së ose të dorëzohen fizikisht te sporteli i QKB-së.
Hapat e procedurës
-Identifikohuni si biznes në portal;
-Zgjidhni shërbimin “Aplikim për licensë për mbarështim të kafshëve në fermat agroblektorale të mëdha”
-Klikoni butonin” Përdor”
-Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi adresën e biznesit dhe ngarkoni dokumentet e nevojshme të kritereve të licencës.
-Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit.
-Merrni numrin e çështjes në përgjigje të dërgimit të aplikimit, me të cilën mund të gjurmoni më pas çështjen e hapur duke përdorur shërbimin ”Gjurmimi i çështjeve nga Qendra Kombëtare e Biznesit (licenca)”.
-Dërgoni me postë ose dorëzoni në sportelin e QKB-së versionin origjinal vetëm për dokumentet e skanuara gjatë aplikimit online.
-Sportelisti verifikon dokumentet e aplikimit dhe nëse ato janë të gjitha të nënshkruara elektronikisht, e konfirmon çështjen duke e kaluar te regjistruesi. Nëse një pjesë e dokumenteve janë të panënshkruara elektronikisht (pra, të skanuara nga origjinali), atëherë sportelisti e le pezull çështjen deri në mbërritjen e dokumenteve origjinale;
-Pasi dokumentet origjinale mbërrijnë në QKB, sportelisti verifikon që ato janë të njëjta me versionin e skanuar të dërguar gjatë aplikimit online. Më pas konfirmon krijimin e çështjes (sistemi i brendshëm i QKB-së gjeneron LC-në përkatëse dhe lajmëron aplikantin me e-mail).
-Çështja i shfaqet regjistruesit të QKB-së për trajtim të mëtejshëm. Regjistruesi proceson aplikimin dhe pas aprovimit të tij, çështja i kalon ministrisë për shqyrtim. Në rast se regjistruesi nuk e aprovon aplikimin, aplikanti njoftohet me e-mail për arsyen e refuzimit.
-Ministria shqyrton aplikimin dhe merr vendim aprovues ose refuzues për çështjen. Në rast refuzimi, aplikanti njoftohet me e-mail edhe mbi arsyen.
-Në rastin e aprovimit të aplikimit nga ministria, licenca përkatëse ose aktivizohet direkt prej saj kur dhënia e licencës është pa pagesë ose shfaqet në radhën e punës të sportelistit të QKB-së për ngarkimin e mandatit të pagesës.
-Pas kryerjes së pagesës nga aplikanti, licenca aktivizohet nga sportelisti i QKB-së. Sportelisti vijon me gjenerimin e dokumentit të licencës, e nënshkruan atë elektronikisht dhe e dërgon në seksionin “Dokumentet e mia” te “Hapësira ime” Gjithashtu aplikanti mund të tërheqë dokumentin e licencës në sportel.
Koha e nevojshme par marrjen e shërbimit është 19 ditë ndërkohë periudha e vlefshmërisë së licencës është pa afat.
Për më shumë informacion klikoni këtu
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.