Fermerët qendrojnë nën “hije”! Refuzojnë financimet, nuk pajisen me nipt
Nga 354 mijë fermerë në të gjithë vendin, vetëm 40.265 mijë prej tyre janë të dukshëm për shtetin dhe disponojnë një nipt për aktivitetin e tyre, duke e pasur kështu “derën” të hapur për aplikime dhe përfitime të fondeve të vëna në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë për mbështetjen e këtij sektori.
Shifrat e fundit zyrtare që i përkasin datës 15 Gusht, tregojnë se numri i fermerëve të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka lëvizur shumë pak krahasuar me dy muaj më parë, ku vetëm 83 fermerë më shumë janë pajisur me nipt, çka tregon trendin e vakët të interesit që kanë fermerët për t’u formalizuar.
Më shumë se 313 mijë prej tyre vijojnë të mbeten indiferentë ndaj financimeve që jep Ministria e Bujqësisë për zhvillimin e zonave rurale duke bërë që vetëm 11 për qind prej tyre gëzojnë përfitimet që vijnë nga pasja e një nipti si dhe të derdhin kontribute shoqërore dhe shëndetësore.
Megjithëse Ministria e Bujqësisë vuri në dispozicion 20 milion euro për 54 skema të financimit në bujqësi dhe kusht kryesor është pajisja e fermerit me nipt kjo nuk e vuri në lëvizje këtë kategori, që të përfitojnë nga momenti për hapjen e niptit në mënyrë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e financimeve.
Ministria e Bujqësisë ka sërish në dorë një instrument të fuqishëm financimi prej 94 milion eurosh, një fond i përbashkët midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, që sërish do të lërë të pambuluar pjesën e “padukshme” të bujqësisë shqiptare, të cilët punonjës më së shumti në këtë sektor për arsye mbijetese dhe nuk tentojnë ta kthejnë atë në një mekanizëm zhvillimi dhe për rritje të të ardhurave.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.