Ferrari thyen tabunë? Mendon të nxjerrë në treg një makinë “normale”

Ferrari historikisht ka prodhuar makina sportive, të cilat jo shumëkush mund të ketë fatin t’i blejë, për shkak të çmimeve mjaft të kripura. Por së fundmi, disa zëra nga tregu flasin për një projekt të shtëpisë prodhuese emblematike italiane që të nxjerrë në treg një makinë për të gjithë, me hapësirë të nevojshme dhe me 4 deri në 5 vende, por që sërish do të mbetet një makinë sport.
Fillimisht ishte Bloomberg që publikoi një spekulim të tillë duke iu referuar burimeve brenda kompanisë italiane. Kjo strategji e re merr shtysë nga objektivi i kompanisë për të dyfishuar të ardhurat dhe shitjet brenda vitit 2022. Mediat e tjera ndërkohë, e kryesisht ato italiane bëjnë me dije se, diçka konkrete do të mund të merret vesh vetëm pasi grupi i FCA që ka nën kontroll Ferrarin, të prezantojë planin e ri pesëvjeçar në fillim të vitit të ardhshëm.
Pjesë e këtij plani mund të jetë edhe fokusi drejt makinave hibride me qëllimin për të ulur kostot që burojnë nga shtrëngimi i rregullave të emetimit të gazrave. Të gjitha makinat e grupit FCA, duke filluar nga Maserati do të jenë pjesë e këtij plani të ri.
Me shumë gjasa, në rast se Ferrari do të nxjerrë në treg një makinë katër vendëshe normale, pra jo si versioni GT4 luks që ka hapësirë mjaft të ngushtë, ajo do të jetë një model Crossover. Këto spekulime nxitën ditën e Martë një marshim ët aksioneve të grupit FCA në tregje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.