“Festa mbaroi” / Policia spanjolle shpërndan turistët në “Palma de Mallorca”
Policia spanjolle ka shpërndarë turistët në destinacionin e njohur, Palma de Mallorca, pasi duke filluar që nga data 24 korrik hyri në fuqi rregulli për ndalimin e lëvizjes gjatë natës, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e variantit Delta të koronavirusit. Në ishujt Balearik Islands hyri në fuqi shtetrrethimi gjatë natës, pasi u regjistruan më shumë se 450 raste të reja me koronavirus për 100 mijë banorë. Të gjitha grumbullimet sociale janë të ndaluara në Majorka, Menorka dhe Ibiza nga ora 1 e natës deri në 6 të mëngjesit me orën lokale, por jo në Formentera pasi incidenca është poshtë 450 raste për 100 mijë banorë. Pamjet e Reuters tregonin policinë që “pastronte” plazhet nga turistët, rreth orës 1 të natës. Spanja ka regjistruar 677 raste të reja me Covid-19 për 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësië, ndërsa gjatë së njëjtës periudhe shifrat në Ishujt Balearikë arritën në 785 për 100 mijë banorë. Shumë vende, sidomos ato bregdetare që presin turistë të huaj, po marrin masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e variantit Delta, që është shumë më i transmetueshëm.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.