“Fikja” e TV Analoge – AMA dhe AKEP: Afati është 30 qershori

Zyrtarisht, që nga fillimi i këtij viti, transmetimet televizive tokësore duhet të kryheshin vetëm përmes sinjalit numerik.
Megjithatë, siç ndodh rëndom në Shqipëri, afatet nuk zbatohen dhe shumica e televizioneve vijojnë ende të transmetojnë edhe me sinjal analog, paralelisht me transmetimet përmes platformave dixhitale.
Për këtë qëllim, Autoriteti i Mediave Audiovizuale dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kanë nxjerrë një urdhër të përbashkët për lirimin e brezit 800 Mhz deri më datë 30 qershor të këtij viti.
Për këtë qëllim, është krijuar një grup i përbashkët pune që do të ndjekë dhe monitorojë lirimin e frekuencave.
Pas lirimit efektiv të këtij brezi nga transmetimet televizive analoge, ai do të kalojë në administrimin e AKEP, që në fillim të këtij viti zhvilloi një procedurë të konsultimit publik për dhënien në përdorim të këtyre frekuencave te operatorët e komunikimeve elektronike.
Ofrimi i brezit në fjalë për këta operatorë do të mundësojë zgjerimin e ndjeshëm të spektrit për internetin me brez të gjerë, sidomos përmes teknologjisë 4G.
AKEP vlerëson se dhënia e këtij brezi në përdorim për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ka një impakt të ndjeshëm jo vetëm në këtë sektor, por në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.
Zhvillimi i infrastrukturës dhe shërbimeve broadband në të gjithë vendin do të rriste aksesin në shërbimet elektronike në fusha të ndryshme si në tregti, shëndetësi, edukim apo në shërbimet qeveritare në përgjithësi. Përmes këtij brezi, gjithashtu pritet të rritet depërtimi i shërbimit të internetit në familjet shqiptare, edhe në zonat me dendësi të vogël popullsie.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.