“Fiksimi” i gjermanëve me kursimet/ Kthehet në “armë” e politikanëve për të fituar votat
“Na shpëtoni kursimet, zonja Merkel”, shkruante e përditshmja gjermane Bild në muajin Gusht. Artikujt që fajësojnë Bankën Qendrore Europiane për normat e ulëta të interesit dhe ato që kërkojnë mbrojtje të bankave ndaj interesat negative, janë shtuar ndjeshëm së fundmi.
Die Welt shkruante në Korrik se stimujt e Bankës Qendrore Europiane po sjellin “konfiskimin” e kursimeve të gjermanëve. Qasja e ashpër e gjermanëve ndaj normave të ulëta të interesit nuk është diçka e re.
Vlera e kursimit është rrënjosur thellë në psikikën e vendit dhe daton që nga shekulli i 16. Ekonomitë familjare mbajnë 2.4 trilionë euro në depozitat bankare, shifër që kalon atë të Francës dhe Italisë, së bashku. Vitin e kaluar, gjermanët vendosën mënjanë 10% të të ardhurave të disponueshme, që është dy herë më e madhe se norma e kursimeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë që tregjet presin një ulje tjetër të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane, irritimi i gjermanëve po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Politikanët ndajnë të njejtën qasje me popullin gjerman.
Në muajin Gusht, Markus Söder, lideri i Unionit Kristian Social (CSU), tha se partia e tij do të propozojë një ligj që ndalon normat negative të interesit ndaj depozitave retail prej më pak se 100,000 euro. Olaf Scholz, Ministri i Financave, i ka kërkuar zyrtarëve që të shohin nëse kjo gjë mund të aplikohet. Banka Qendrore Europiane dhe kritikët gjermanë janë përplasur edhe më parë.
Një padi, që pohon se programi i lehtësimit sasior(QE) i Bankës Qendrore Europiane ka tejkaluar mandatin ligjor të institucionit po shkon drejt gjykatës kushtetuese gjermane. Megjithatë, është e pazakontë që Ministra e Financave të “përzihet” me politikat monetare. Kjo është bërë më e dukshme ndërkohë që ekonomia gjermane po i afrohet recesionit.
Zgjedhjet rajonale po afrojnë dhe mbrojtja e kursimtarëve po merr më shumë rëndësi. Megjithatë, pavarësisht zhurmave, normat negative të interesit për depozituesit retail duken ende të largëta.
Norma e interesit për depozitat e Bankës Qendrore Europiane qëndron në -0.4%, ç’ka nënkupton se në vend që të paguajë interes për rezervat e tepërta të bankave dytësore, institucioni i ngarkon atyre një tarifë për t’i vendosur paratë.
Disa banka, e kanë kaluar këtë kosto shtesë nga normat negative të interesit te klientët korporata dhe një pjesë shumë e vogël e ka bërë këtë edhe ndaj klientët e pasur retail, të cilët nuk janë dakord që t’i heqin paratë pavarësisht se po i zvogëlohen. Megjithatë, Vitor Constancio, ish zv/presidenti i Bankës Qendrore Europiane, ka thënë për Der Spiegel se dyshon që bankat kanë ofruar norma negative të interesit për depozituesit e zakonshëm retail.
Kjo vjen për shkak se klientët e vegjël janë rreziku më i madh i “arratisjes” drejt bankave. Vetë bankat janë kundër normave negative të interesit, pasi i redukton sasinë e parave që fitojnë nga interesi. Shoqata e Bankave Gjermane (BDB) bëri të ditur se huadhënësit gjermanë kanë paguar 2.3 miliardë euro drejt Bankës Qendrore Europiane vitin e kaluar, shifër ekuivalente me thuajse 10% të fitimeve për vitin 2017.
Megjithatë, grupi kryesor i lobimit për sektorin financiar gjerman, është gjithashtu kundër perspektivës që Qeveria të caktojë një dysheme te normat e interesit për klientët retail. Sipas Shoqatës së Bankave Gjermane, kjo mund të kufizojë hapësirën e bankës për manovrim dhe të shkaktojë ndërprerje financiare.
Banka Qendrore Europiane po konsideron mënyra të tjera për të zbutur tkurrjen e marzhit të interesave të bankave, si përjashtimin e disa rezervave nga interesat negative. Kjo përplasje tregon se Banka Qendrore Europiane duhet të jetë në dijeni të kostove për uljen e interesave mëtej.
Rreziku është se depozituesit mund të preferojnë t’i vendosin paratë poshtë jastëkut se san ë bankë. Megjithatë, Banka Qendrore Europiane, me të drejtë, mund të ndihet e “lodhur” nga qëndrimi i politikanëve gjermanë. Vitor Constancio tha se zanafilla e normave të ulëta të iteresit në Eurozonë është kursimi i madh që po tejkalon shpenzimet. Fiksimi i gjermanëve me kursimin është pjesërisht faktor.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.