Fillesat e tregut të aksioneve dhe obligacioneve në Shqipërinë e viteve ’20-’40!

Pavarësisht stadit të zhvillimit ekonomik, Shqipëria ka një histori më shumë se 1 shekullore me konceptin e themelimit të kompanive në formën juridike kolektive, pra të kompanive me aksionerë të ndryshëm (koncepti bazë i funksionimit të një burse).
Referuar një dokumenti të lëshuar nga Oda e Tregtisë së Tiranës, në vitin 1900 është themeluar “Magazina Nacionale Begeja”, nën formën juridike kolektive që ushtronte tregtinë e manifakturës me shumicë e pakicë.
Por koncepti i krijimit të kompanive vjen kryesisht në vitet ’20 kur vendi njeh nisjen e një periudhe stabiliteti.
Afrimi me Italinë e rritja e prezencës së kapitalit Italian në Shqipëri do të sillte edhe zhvillimin e praktikës së themelimit të kompanive me aksionerë të ndryshëm.
Në këtë periudhë, në vend kemi një serë biznesmenësh që kanë aksione në kompani që ushtrojnë aktivitet në sektorë të ndryshëm.
Dy nga shoqëritë aksionere më të mëdha të kësaj periudhe ishin Stamles dhe SITA. E para kishte aktivitet në fushën e tregtimit të duhanit ndërsa e dytë në tregtimin e kripës.
Këto kompani do të publikonin në shtyp bilancet e tyre vjetore, të certifikuara nga Këshilli Kontrollues.
Shtimi i numrit të kompanive shqiptare, italiane apo të përbashkëta pas vitit 1939, do të sillte edhe nevojën e krijimit të një kompanie që do të merrej me shitblerjen e aksioneve e obligacioneve.
Referuar vjetarit statistikor të Mbretërisë Italiane për Shqipërinë, rezulton se në Durrës ka ekzistuar një kompani që merrej konkretisht me shitjen dhe blerjen e aksioneve dhe të obligacioneve.
Kompania e emërtuar S.A.M. sipas raportit, ushtronte edhe aktivitetin e tregtimit të aksioneve dhe obligacioneve. Krahas kësaj kompanie, në raport janë evidentuar më shumë se 200 kompani e sipërmarrje të ndryshme në mbarë vendin.
K.KUÇAJ/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.