Fillion ndërtimi i skemave të ujësjellësave për 70 fshatra – FSHZH: Përfitojnë 88 mijë banorë

Në tetor pritet të nisë puna për ndërtimin e skemave të reja të ujësjellësve ruralë, të cilët do të furnizojnë me ujë rreth 88 mijë banorë në mbi 70 fshatra në të gjithë vendin.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili është zbatues i programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III”, shprehet se deri në 20 skema do të ndërtohen në kuadër të këtij programi të financuar nga qeveria shqiptare, ajo gjermane dhe nga Bashkimi Europian.
I gjithë programi do të zgjasë 5 vjet dhe ka si qëllim kryesor furnizimin e popullsisë në zonat rurale me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.
Nisja e punimeve do të kryhet sipas rajonave, ku në pjesën e parë do të mbulohet rajoni juglindor me tri skema furnizimi për 16 fshatrat: Menkulas, Ponçarë, Braçaj, Dobraj, Ziçisht, Sul, Gjyres, Fitore, Koshnicë në bashkinë Devoll; Kamenicë dhe Dvoran në Bashkinë Korçë, si dhe fshatrat Kovanik Bardhaj, Skënderbej, Sutaj dhe Rrajcë në bashkinë Përrenjas.
Ndërsa në nëntor nisin punimet për rajonin verior dhe gjashtë skema do të ndërtohen për 25 fshatra të bashkisë Dibër (Dohoshisht, Cetush, Pollozhan, Rashnopoje, Tomin), bashkisë Klos (Skënderaj, Kurdari, Suç, Kujtim), bashkisë Tropojë (Tropojë-Fshat, Kuçanë, Kasaj, Viçidol, Mejdan, Kojel Shpat, Fushë, Shumicë, Babinë, Rrogam, Cernicë, Dunishë, Bukovë, Llugaj), bashkisë Lezhë (Kallmet i Madh dhe Kallmet i vogël) dhe bashkisë Mat (German, Midhë, Kodër Qerre).
Puna për rajonin jugperëndimor nis në janar, ku përfitojnë 12 fshatrat Dukat, Tragjas, Jonufër, Radhimë në bashkinë Vlorë, fshatrat Kuç, Pilur, Kudhës, Qeparo në bashkinë Himarë, fshati Çiflik në bashkinë Lushnje dhe fshatrat Pashalli dhe Guri i Bardhë në Bashkinë Ura Vajgurore.
Po në janar nisin punimet për pjesën e mbetur, nga ku përfitojnë fshatrat Vilëz, Zall – Bastar, Zall – Dajt, Shëngjin i Vogël, Besh në Bashkinë Tiranë, zona e Shkëmbit të Kavajës, si dhe fshatrat Arapaj, Xhafzotaj, Jubë, Erzen, Qarret, Katund i Ri, Fllakë, Sektor Rinia, Manëz në Bashkinë Durrës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.