Fillon rikonstruksioni i ‘Parkut Rinia’ – Veliaj: Nuk do presim katër vjet që të mbajmë premtimet
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve për rikonstruksionin e Parkut Rinisa, të cilat sipas tij sjellin jo vetëm përmirësimin estetik të parkut, por pritet të dhjetëfishojnë edhe numrin e vizitorëve.
Gjatë videos live të transmetuar në portalin Facebook, në faqen e tij zyrtare Veliaj tha: “Më në fund filloi puna dhe nuk do presim katër vjet që të mbajmë premtimet. Do të shkojmë nga një park estetik për syrin, që përdoret nga vetëm disa qytetarë, në një park të transformuar që do të përdoret nga dhjetëfishi i qytetarëve që e frekuentojnë sot atë, një park, i cili do të rikonceptohet si një park ‘butik’ i asaj që është sot zemra e Tiranës”.
“Ne duam që ashtu si tek Parku i Liqenit, investimet shtesë siç mund të jenë këndi i lodrave, pistat, shatërvanët, të sjellin më shumë përdorim të parkut nga qytetarët. Duam që ky park të mos jetë vetëm një fjetinë e madhe për ata që i kap dremitja e drekës në park ose për ata që vandalizojnë ‘Monumentin e Pavarësisë’, por të rikonceptohet totalisht, për të akomoduar disa grupmosha qytetarësh, gjithashtu duam të fokusohemi më shumë tek fëmijët dhe të moshuarit gjithashtu”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Gjatë inspektimit u konfirmua se punimet pritet të zgjasin rreth 8 muaj dhe projekti të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.