Filmimi i rrallë i arkivës së Norvegjisë-Si ishin fabrikat artizanale në të cilat shqiptarët përpunonin lëkurët në vitet ’40 (VIDEO)
“Filmavisen” ishte një buletin i përjavshëm i lajmeve që shfaqeshin si filma në kinema në vitet 1941-1963 në Norvegji.
Buletinet janë prodhuar nga Norsk Film A / S. Edhe pse mund të jenë më të hershme, filmimet për Shqipërinë janë transmetuar në vitin 1944.
Pamjet filmike tregojnë procesin e përpunimit të lëkurëve në Shqipëri, në mënyrë artizanale.
Përpunimi i lëkurëve në rrugë industriale nis në Shqipëri në vitet ’20. Në Gjirokastër, Shkodër, Vlorë e Korçë kjo industri do të njihte zhvillimin më të madh.
Lëkurët e bagëtive grumbulloheshin dhe pasi liheshin të thaheshin, kriposeshin dhe futeshin për t’u zbutur(regjur) në gropa me gëlqere ku më pas shpërlaheshin dhe përdoreshin për këpucë, çanta e veshje të tjera.
Gjatë periudhës së regjimit komunist, metodat e përpunimit të lëkurëve do të përmirësoheshin ashtu sikurse edhe teknologjia. Ndërkohë, në vitet ’90 kjo industri do të mbyllej e ndërmarrjet e grumbulimit të lëkurëve do të mbylleshin.
Sot situata është ndryshe. Edhe pse veshjet zënë një vend të rëndësishëm në zërin e ekporteve, përfitimet janë të pakta për faktin se materiali importohet gjysëm i gatshëm dhe përpunimi i plotë i lëkurës bëhet jashtë vendit.
Ndërkohë, përfitimi kryesor që Shqipëria ka nga ky proces është ai i pagesës për krahun e punës pasi vendi ynë prodhon këpucë me material porositësi e procesi kryesor që kryhet është ai i montimit të këpucëve e veshjeve të tjera pasi gjithçka tjetër vjen e gatshme nga jashtë. Ndërkohë, lëkurët që mblidhen (në një nivel të ulët) eksportohen gjysëm të gatshme.
Kreshnik KUÇAJ/SCAN (www.scan-tv.com)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.