“Filtrohen” punonjësit socialë – Kush nuk ka diplomën përkatëse bachelor dhe master, rrezikon vendin e punës
Profesionin e punonjësit social, tashmë do ta ushtrojnë vetëm ata individë të cilët zotërojnë diplomë të nivelit “Master i Shkencave/Master Profesional”, në fushën e punës sociale dhe diplomë të nivelit “Bachelor” në të njëjtën fushë, lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, si dhe të njohura dhe të njësuara në Republikën e Shqipërisë nga ministria përgjegjëse për arsimin.
Projektligji që është depozituar për diskutim në Komisionet Parlamentare, për disa ndryshime në ligjin “Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë, synon të ganatojë një cilësi më të mirë të shërbimeve në fushën e punës sociale, sidomos në atë të shërbimeve sociale, duke vendosur kriter diplomën dhe masterin në këtë fushë. Dafti qartëson gjithashtu se çfarë do të ndodhë me ata individë që e ushtrojnë tashmë profesionin e punonjësit social, por që nuk përmbushin kriterin e zotërimit të diplomës përkatëse të studimeve të larta.
Kështu, sipas projektligjit, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, këta persona do ta ruajnë vendin e punës për një afat të caktuar por do të jenë të detyruar të ndjekin programe të formimit dhe kualifikimit profesional. Pas përfundimit të programimit të formimit dhe kualifikimit profesional, të përshtatshëm për ushtrimin e profesionit të tyre, ata i nënshtrohen provimit të shtetit. Në të kundërt, do të jenë të detyruar të dalin nga tregu i punës.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.