Finalizohet operacioni policor “Bileta e Falsifikuar” – Sekuestrohen 150 000 bileta, në pranga 8 persona
Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor kanë finalizuar operacionin “Bileta e Falsifikuar”.
Sipas njoftimit të bërë nga policia janë sekuestruar 150.000 bileta të falsifikuara dhe janë vënë në pranga 8 persona përkatësisht :
- I., 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti;
- V., 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti;
- V., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me funksion administratore dhe ortake e një shoqërie transporti;
- V., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë administratore e një shoqërie transporti;
- A., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobusësh;
- D., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobusësh;
- Q, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh;
- I., 20 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.
Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare, duke i shkaktuar shtetit dëm të madh ekonomik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.