Finalizohet operacioni policor “KRIPTOFARM” – Evidentohen dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutës në rrethin e Durrësit
Policia e Shtetit ka evidentuar dy laboratorë dhe ka sekuestruar qindra pajisje që shërbenin për prodhimin e kriptovalutës, të cilat ishin në gjendje pune. Gjithashtu, janë arrestuar tre shtetas dhe shpallur në kërkim katër të tjerë.
Nga hetimet e kryera nga “Njësia për Hetimin e krimeve kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e dy strukturave për prodhimin e kriptovalutave të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike duke krijuar përfitime monetare si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti përsa i përket të ardhurave duke shfrytëzuar, keqinterpretuar dhe keqpërdorur hapësirat ligjore .
Një strukturë ishte ngritur në fshatin Pjezë, pranë Shijakut dhe struktura tjetër në fshatin Fllakë po pranë Shijakut.
Nga verifikimet dhe hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas megjithëse nuk kanë marrë një përgjigjie pozitive nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare për krijimin e këtij aktiviteti kanë zhvilluar aktivitetin e tyre i cili bie ndesh dhe me ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë’ duke qenë se nuk plotëson asnjë nga kriteret e vendosura në këtë ligj.
Uniformat blu kanë sekuestruar me cilësinë e provës materiale 631 copë pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 copë panele diellore, 360 copë pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 copë pajisje kompjuterike për procesimin e të dhënave, 71 copë pajisje kompjuterike për ruajtjen e përkohshme të të dhënave, 71 copë Hard disqe të jashtme, 71 copë pajisje elektronike për stabilizimin e temperaturave, pajisje elektronike për shpërndarjen e internetit, pajisje kompjuterike të lëvizshme dhe dokumenta të ndryshme të subjekteve, fatura financiare, shënime të ndryshme etj.
Deri më tani vlerësohet se për krijimin e këtij aktiviteti këta shtetas kanë shpenzuar rreth 1.000.000 euro.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.