Finalizohet operacioni “Start one” – Arrestohen hajdutët palestinezë që kryenin vjedhje nëpër dyqanet e Tiranës
Policia e shtetit ka njoftuar finalizimin e operacionit ‘Start One’ që konsistonte në parandalimin e vjedhjeve të dyqaneve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, si dhe po procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër.
Sipas Policisë janë zbardhur dhe dokumentuar vjedhje të ndodhura më parë, të kryera po nga këta shtetas, duke u sekuestruar kështu në cilësinë e provës materiale aparate celularë dhe sende të tjera.
Në njoftim shkruhet shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të bërë nga pronarja e një dyqani të vjedhur në Rrugën e Durrësit, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara dhe një pune disaditore, kanë organizuar dhe finalizuar operacion policor “Start one”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Y. L., 26 vjeç, lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë.
– O. E., 24 vjeç, lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë, si dhe u procedua në gjendje të lirë A. B., 18 vjeç, lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë.
Policia ka bërë me dije se në bazë të hetimeve dhe të provave materiale (pamjeve filmike dhe dëshmi) rezulton se këta shtetas janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura gjatë ditëve të para të muajit janar 2020 dhe konkretisht:
– Më datë 02.01.2020, në një bar kafe, në rrugën “Zenel Baboci” kanë vjedhur një sasi lekësh dhe pije alkoolike.
– Më 06.01.2020, në një dyqan, në Rrugën e Durrësit, kanë vjedhur rroba të ndryshme.
– Më 06.01.2020, në një farmaci, në Rrugën e Kavajës kanë vjedhur telefona.
– Më datë 06.01.2020, në ambientin e një pastiçerie, në rrugën “Ibrahim Rrugova” kanë vjedhur aparat celularë dhe një portofol.
Sipas publikimit po vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera, të cilat dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.