Financat nën “kontrollin” e femrave – Sfidat kryesore të vitit për 5 “shefet” e ekonomisë
Financat publike tashmë janë tërësisht nën “kontrollin” e femrave, të cilat do të përballen me një sërë sfidash të mëdha gjatë vitit në vijim.
Aktualisht, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, drejtohet nga ministrja Anila Denaj dhe 4 zëvendësministre të cilat janë me detyra të ndara.
Belinda Ikonomi ka “bastionin” e investimeve të huaja direkte , Dajna Sorensen mbulon fushën e punësimit, ndërsa Vasilika Vjero e emëruar së fundmi, sipas logjikës mesa duket do të pozicionohet me pjesën fiskale dhe Adela Xhemali, po ashtu e emëruar së fundmi do të mbulojë politikat më makro dhe kryesisht ato që lidhen me borxhin publik.
Por cilat janë sfidat kryesore të drejtuesve të financave për këtë vit? E para është rritja e të ardhurave, duke qenë se ishin dobësia kryesore e vitit që lam pas, dhe rrjedhimisht edhe rritja ekonomike, pasi rezultoi shumë poshtë objektivave të vendosura.
Sfida e dytë është implementimi me sukses i projektit të fiskalizmit, një projekt madhor që do të prekë të gjitha bizneset në vend. Sfida e tretë lidhet me emetimin me sukses të Eurobondit të katërt, i cili parashikohet në muajin Maj.
Ndërsa një tjetër sfidë e madhe është përballimi i kostove ekstra që mund të dalin nga procesi i rindërtimit, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit dhe ruajtja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik në parametrat e përcaktuara.
Cilat do të jenë rezultatet dhe me cilën normë suksesi mbetet ende për tu parë , por ky vit pashmangshmërisht përfaqëson një sfidë të madhe për financat publike.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.