Financat publike në Eurozonë – Deficiti bie në nivelin më të ulët në 1 dekadë, borxhi rritet

Deficiti publik i Eurozonës ka rënë në nivelin më të ulët në 1 dekadë, gjatë tre muajve të parë të vitit, nxitur nga zgjerimi i suficitit në Gjermani, që ka kompensuar rritjen e hendekut fiskal në Francë.
Të dhënat e Eurostat konfirmojnë përmirësimin e financave publike të rajonit, pavarësisht rritjes së borxhit publik në tremujorin e parë, që mori nxitje nga Italia, vend me nivelin e dytë më të lartë të borxhit në 19 vendet e Eurozonës. Eurostat raportoi se, deficiti i qeverive në Eurozonë ka rënë në 0.9% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, në tremujorin e parë, krahasuar me 1.1% që ishte në fundin e 2016-ës.
Ky është niveli më i ulët i deficitit publik që prej tremujorit të katërt të 2007-ës, kur kriza financiare globale nisi të godasë ekonomitë e bllokut, duke detyruar qeveritë që të shpenzojnë më shumë për të mbështetur sektorin financiar. Rënia e hendekut fiskal në Eurozonë u nxit nga Gjermania, për shkak se ekonomia më e madhe e rajonit ka zgjeruar suficitin në 1.5% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, në tremujorin e parë.
Ky rezultat vjen pavarësisht thirrjeve nga institucionet e Bashkimit Europian ndaj Gjermanisë për të rritur shpenzimet, pagat dhe për të fuqizuar rimëkëmbjen e bllokut. Franca, ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës, pati një rritje të deficitit publik në 3.3% gjatë fillimit të vitit. Kjo shifër thyen limitin e Bashkimit Europian prej 3%, megjithatë presidenti, Emmanuel Macron dhe qeveria e tij kanë thënë vazhdimisht se, do ta ulin normën vjetore poshtë këtij niveli.
Të dhënat pozitive për deficitin, janë zbehur nga rritja e borxhit publik të rajonit në 89.5% në raport me PBB, nga 89.2% që ishte në fundin e 2016-ës. Rritja e borxhit erdhi kryesisht nga Italia, ekonomia e tretë më e madhe e rajonit, ku niveli arriti në 134.7% në raport me prodhimin kombëtar, në tremujorin e parë, nga 132.6% që ishte në tremujorin e kaluar. Greqia, ndërkohë, që mban vendin e parë, regjistroi një rënie në fillim të vitit në 176.2%, nga 179% që ishte në tremujorin e katërt 2016.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.