“Financial Times” për BE-Shqipëri – “Brukseli duhet t`i mbështesë reformat, duke i dhënë `ok` negociatave”
Prestigjiozja “Financial Times” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar vendit tonë dhe vendimit të datës 28 Qershor nga Këshilli Europian. Shkrimi mban firmën e një organizate me bazë në Holandë, e për këtë arsye, një vëmendje të madhe merr edhe veto që Holanda duket se do të vendosë për integrimin e Shqipërisë në union.
Shkrimi mban titullin: Bashkimi Europian duhet t`i mbrojë, jo t`i shkarkojë reformat në Shqipëri.
“Financial Times” shkruan se, vendimi i qeverisë holandeze për të vendosur veton ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë është rrjedhojë e presioneve të brendshme. Por nga ana tjetër, thuhet se, nëse kjo do të ndodhë, atëherë, pasojat për vendin do të jenë të mëdha.
Axhenda e reformave duket se do të jetë viktima më e madhe, e për pasojë edhe shqiptarët. “Ne besojmë se, modeli shqiptar, ashtu siç po njihet, po funksionon dhe do të jetë i suksesshëm. Hap pas hapi, duke kombinuar reformat strukturore dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe spastrimin e gjyqësorit, besimi në drejtësi do të ndërtohet”, thuhet mes rreshtave të Financial Times.
Reforma në drejtësi vlerësohet kështu si pika e kthesës për vendin tonë dhe si arsyeja se përse Bashkimi Europian duhet t`i thotë “po” negociatave me vendin tonë.
“Pa dritën jeshile të Brukselit për të çelur negociatat, reformat në fuqi nuk do të mund të përballonin dot forcat dhe interesat e shumta që po punojnë kundër tyre”, thuhet më tej.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.