Financime për biznesin – Agrobiznesi, një trend në rritje për ekonominë
Agrobiznesi është një ndër sektorët që po njeh zhvillim gjatë viteve të fundit në vendin tonë.
Krahas politikave qeveritare, tashmë edhe institucionet financiare vendase apo të huaja, po orientohen drejt këtij sektori për të kredituar subjektet ekonomike.
Kështu, krahas institucioneve financiare vendase, edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) synon që të mbështesë këtë sektor.
Sipas një njoftimi paraprak nga ky institucion financiar, më 8 Maj do të zhvillohet një konferencë, ku në fokus do të jenë praktikat më të mira ndërkombëtare në agrobiznes.
Konferenca, e cila do të zhvillohet të hënën, do të mbledhë së bashku në Tiranë, biznese, këshilltarë lokalë dhe ndërkombëtarë, në një sërë fushash ekspertize.
Me financim nga Bashkimi Europian, ky event është pjesë e paketës mbështetëse që BERZH jep për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke ofruar mjete të integruara të financimit të drejtpërdrejtë, financimin nëpërmjet institucioneve financiare partnere, këshillave të biznesit dhe dialogut politik.
Bizneset që duan të jenë pjesë e kësaj konference mund të marrin më shumë informacion në faqen zyrtare të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit dhe Investimeve.
Në vendin tonë, gjatë viteve të fundit janë ngritur mjaft biznese me drejtim bujqësinë, përpunimin dhe eksportin e prodhimeve vendase. Gjithashtu, një rritje po njeh edhe agroturizmi.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.