Financimi i partive politike, Zguri: Fushatat luksoze dhe pa transparencë, të papranueshme
Transparenca e fondeve të përdorura nga partitë politike në zgjedhjet e qershorit kanë mbledhur në një tryezë të përbashkët Këshillin e Evropës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aktorë nga shoqëria civile.
Claus Neukirch, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë tha se, amendimet që ju bënë ligjit zgjedhor, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, nuk pasqyruan tërësisht sugjerimet e ndërkombëtarëve lidhur me transparencën e fondeve të partive. Shkak për të cilin është e nevojshme përfundimi sa më shpejt i reformës zgjedhore.
“Ka ardhur çasti për të përfunduar reformën elektorale, dhe kjo duhet bërë sa më shpejt. Amendimet e bëra në vitin 2017 nuk adresuan plotësisht sugjerimet e bëra nga ODHIR apo institucionet e tjera, veçanërisht sa i takon transparencës të burimeve të financimit dhe shpenzimeve të bëra gjatë fushatës”.
I pranishëm në takim, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, tha se fushatat luksoze me fonde jo-transparente nga ana e partive janë të papranueshme.
Tryeza i parapriu 25 shtatorit, afati i fundit brenda të cilit partitë politike duhet të paraqesin pasqyrat financiare të donacioneve dhe shpenzimeve të kryera gjatë fushatës elektorale.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.