Financimi i zgjedhjeve – KQZ miraton listën e partive që do të kthejnë apo marrin para

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listat e partive politike që duhet që të kthejnë paratë e financuara nga buxheti i shtetit por edhe të atyre subjekteve politike që duhet që të marrin shtesë, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Fondi që do të ndahet mes subjekteve politike është në vlerën e 65 milionë lekë. Partitë që do të përfitojnë fond shtesë janë ato që kanë siguruar më shumë mandate se subjektet e tjera politike. Kështu Partia Socialiste do të marrë 28 mln, LSI 13 mln, PDIU 14 mln, PSD 223 mijë lekë dhe LIBRA 501 mijë lekë shtesë nga buxheti. Por nga rezultati i dalë më 25 qershor një sërë partish do të penalizohen duke kthyer para pas buxhetit të shtetit.
Kështu partia më e madhe opozitare në vend, ajo Demokratike duhet që t’i kthejë buxhetit të shtetit 17 milionë lekë. Ndërkohë që ka edhe parti të tjera të cilat do të duhet të kthejnë parat e marra fillimisht për fushatë.
Përkatësisht Partia Republikane duhet të kthejë 20 mln, FRD 11 mln, Partia Demokracia Sociale duhet të kthejë 470 mijë lekë, Sfida, Aleanca Demokratike, Partia Komuniste e Shqipërisë, Aleanca Popullore për Drejtësi dhe Bashkimi Demokristian Shqiptar duhet t’i kthejnë buxhetit të shtetit 325 mijë lekë. Afati i kthimit të këtyre parave sipas vendimit të KQZ është brenda 90 ditëve.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.