Financimi i monedhave dixhitale – Rregullatori i tregjeve në BE paralajmëron investitorët për rreziqet
Autoriteti Europian i Tregjeve dhe Letrave me Vlerë (ESMA) paralajmëroi se investitorët mund të humbasin paratë në projektet e monedhave të reja dixhitale që dalin në treg (ICO), për shkak të luhatshmërisë ekstreme të tyre dhe cënueshmërisë ndaj mashtrimeve dhe pastrimit të parasë. Investitorët nuk janë të mbrojtur nga ligjet e Bashkimit Europian, deklaroi institucioni. Ndërsa ofertat fillestare të monedhave kualifikohen si instrumente nën ligjet e BE, firmat duhet të respektojnë Direktivat e Tregjeve në Instrumentet Financiarë (MiFID), për reklamimin, investimet alternative dhe pastrimin e parasë.
“Ka pasur rritje të shpejtë në botë të ofertave për monedhat e reja dhe shihet se investitorët mund të mos jenë të dijeni të rreziqeve të mëdha që marrin përsipër kur investojnë në këto produkte. Për më tepër, ekzistojnë shqetësime se firmat e përfshira në ofertat fillestare të monedhave mund të ndërmarrin aktivitete që nuk përputhen me ligjin e Bashkimit Europian”, deklaron institucioni rregullator.
Duke qenë një ndërthurje e financimit në grup (Crowdfunding) dhe ofertave publike fillestare (IPO), ofertat në fjalë përbëjnë shitjen e monedhave dixhitale bazuar në teknologjinë blockchain. Deklarata e Autoritetit të Tregjeve dhe Letrave me Vlerë në Europë, vjen pas lajmërimeve të ngjashme nga rregullatorët në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar mbi rreziqet e financimit të valutave dixhitale.
Investitorët kanë hedhur një shifër prej 3 miliardë dollarë për mbi 200 oferta këtë vit, tregojnë të dhënat e Coinschedule.com. Tashmë ekzistojnë rreth 1,000 monedha dixhitale.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.