Financimi për “Zhvillimin e Rajoneve” – Pas vizitës së Ramës në Zvicër, qeveria çon projektligjin në Kuvend

Pak ditë pas vizitës zyrtare të kryeministrit Edi Rama në Zvicër, qeveria depoziton në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që synon mbështetje financiare për programin e zhvillimit të rajoneve. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes dy qeverive për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë në vitin 2017-2018 dhe në vijim, është miratuar në parim në fund të muajit mars.
Në relacionin shpjegues të marrëveshjes, qeveria argumenton se kontributi zviceran-austriak është një grant prej rreth 3.4 milionë franga zvicerane, ose 430 milionë lekë, që do të përdoret për zbatimin e aktiviteteve të projektit, i cili përbën një pjesë integrale të kësaj marrëveshjeje.
Përfituesit e drejtpërdrejtë thuhet se janë Ministria e Zhvillimit Urban dhe strukturat e reja të ngritura për zhvillimin rajonal; katër agjencitë e zhvillimit rajonal etj. Organizata joqeveritare dhe ato që përfaqësojnë bizneset thuhet se do të përfshihen shumë në programimin e Zhvillimit Rajonal dhe zbatimit të projekteve.
Përfituesit përfundimtarë pritet të janë qytetarët, të cilët do të përfitojnë nga politika dhe investime të bashkërenduara më mirë të ekzekutivi, duke marrë në konsideratë pabarazitë rajonale.
Nga ana e saj, Ministria e Zhvillimit Urban do të vërë në dispozicion alokimet e nevojshme buxhetore për të rimbursuar TVSH-në për projektin, për një shumë maksimale prej 380 mijë franga zvicerane.
Nga ky projekt pritet që të ngrihen borde komitetesh/partneriteti për Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit Rajonal, si edhe për katër agjencitë e zhvillimit rajonal, të cilat do të mbikëqyrin dhe monitorojnë zbatimin e programeve.
Qeveria argumenton se Zvicra është një prej donatorëve më aktivë në vend për decentralizimin. Ekzekutivi thuhet se i ka kërkuar në mënyrë specifike këtij vendi që të ketë një rol drejtues në mbështetjen e reformës për Zhvillimin e Rajoneve.
Ky projektligj del sipas marrëveshjes kuadër, lidhur me bashkëpunimin teknik e financiar, ndërmjet Këshillit Federal Zviceran dhe qeverisë Shqiptare, nënshkruar më 11 maj 2007, i cili synon të kontribuojë në zhvillimin rajonal dhe ekonomik në Shqipëri.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.