Financohen 3 projekte – Rishpërndahen fondet e FSHZH-së, ja ku do të shkojnë paratë
Qeveria ka vendosur që fondet e akorduara për vitin 2018 për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në programin “Infrastruktura vendore dhe rajonale”,të hiqen nga ky zë dhe të rishpërndahen në disa institucione qendrore, që janë autoritete kontraktuese, për financimin e projekteve në vazhdim të infrastrukturës vendore. Vendimi është botuar në fletoren zyrtare dhe ka marrë fuqi ligjore.
Kështu, konkretisht do të financohet projekti për rigjallërimi i vlerave historike, kulturore e turistike të Zonës së Zhvillimit Rajonal 3, Korçë, Elbasan (3 lote) me vlerë 83.3 milionë lekë, ndërsa 39.7 milionë lekë do të shkojnë për ngritjen e një qendre multifunksionale e shërbimesh për sipërmarrjet e reja.
Po ashtu, janë parashikuar 90.2 milionë lekë për përmirësimin e transportit dhe infrastrukturës ndërlidhëse Qafë-Shtamë (Bashkia Krujë) – Burrel (Bashkia Mat), me qëllim promovimin e atraksioneve turistike të Parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës (loti 2.1), (infrastrukturë rrugore me interes të veçantë zhvillimi).
Në total janë 213.2 milion lekë që u hiqen projekteve të infrastrukturës vendore dhe rajonale.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.