Finlanda dhe Suedia do të fillojnë aplikimin në NATO në maj!

Finlanda dhe Suedia së bashku do të shprehin dëshirën e tyre për t’u bashkuar me NATO-n në maj, njoftuan të hënën gazetat Iltalehti në Finlandë dhe Expressen në Suedi, duke cituar burime të afërta me këtë çështje.
Pavarësisht shtrëngimit të bashkëpunimit me aleancën ushtarake që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, vendet nordike kishin zgjedhur të qëndrojnë jashtë. Por pushtimi rus i Ukrainës, të cilin ajo e quan një “operacion special”, i ka detyruar Suedinë dhe Finlandën të shqyrtojnë nëse neutraliteti i tyre i gjatë ushtarak është ende mjeti më i mirë për të garantuar sigurinë kombëtare.
Sipas Iltalehti, liderët e Finlandës dhe Suedisë planifikojnë të takohen në javën e 16 majit dhe më pas të shpallin publikisht planet e tyre për të aplikuar për anëtarësim në aleancë. Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto nuk pranoi të komentonte, por përsëriti pikëpamjen e tij të kahershme se ai do të preferonte që Finlanda dhe Suedia të bënin zgjedhje të ngjashme.
E përditshmja suedeze Aftonbladet raportoi veçmas, duke cituar burime pranë zyrave të qeverisë suedeze, se Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kishin premtuar Suedisë rritje të pranisë ushtarake, stërvitje më të thelluara ushtarake dhe mbështetje ‘të fortë politike’ nga vendet e NATO-s” gjatë një procesi të mundshëm aplikimi në NATO.
Ministria e Jashtme suedeze nuk pranoi të komentojë mbi raportet e Expressen dhe Aftonbladet. Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin tha dy javë më parë, ndërsa vizitonte homologen e saj suedeze Magdalena Andersson, se ajo priste që Finlanda të merrte vendimin nëse do të aplikonte për anëtarësim në NATO brenda javësh.
Stokholmi po kryen një rishikim të politikës së sigurisë, e cila përfshin një pikëpamje mbi anëtarësimin e mundshëm në NATO, me rezultatet që do të priten deri në mes të majit. Më vete, socialdemokratët në pushtet në Suedi po shqyrtojnë gjithashtu kundërshtimin e tyre të gjatë ndaj anëtarësimit në NATO. Kjo pritet më së voni deri më 24 maj. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.