Firmoset gazifikimi i Shqipërisë – Takimi në Baku, zyrtarizohet edhe ndërtimi i “IAP”
Gjatë takimit të katërt ministerial të Korridorit Jugor të Gazit të mbajtur në Baku të Azerbaixhanit, është zyrtarizuar përfundimisht ndërtimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian.
Palët kanë nënshkruar kështu dy memorandume bashkëpunimi. Shqipëria është firmëtare e të dy dokumentave dhe është përfaqësuar me zëvendësiministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës, Enis Aliko.
Memorandumi i parë i referohet krijimit të një kompanie të re që do të ndërtojë gazsjellësin që do të kalojë mespërmes Shqipërisë, në Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Kroaci për të përfunduar në Slloveni.
Marrëveshja e dytë ndërkohë i referohet asaj për shpërndarjen e gazit që do të transportohet nga TAP në territorin shqiptar, dhe që do të menaxhohet nga Socar Balkan.
Marrëveshja u nënshkrua nga kreu ekzekutiv i Socar dhe ai i Albgaz. Të dyja marrëveshjet janë me mjaft rëndësi për Shqipërinë.
Gazifikimi i vendit do të ulte ndjeshëm kostot për ngrohje apo gatim si për biznesin ashtu edhe për familjarët si dhe do të ulte ndjeshëm varësinë nga burimet hidrike, duke ulur për rrjedhojë edhe rreziqet fiskale. Nga ana tjetër, ndërtimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian, përkthehet jo vetëm në vende të reja pune, kapital të ri të huaj të injektuar në ekonomi, por edhe rritje të pozitave gjeografike të vendit tonë, sidomos në rajon.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.