Fiskalizimi/ DPT: Të dhëna periodike në dispozicion të tatimpaguesve. Ja si do të funksionojnë
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se në kuadër të zbatimit të procesit të Fiskalizimit, do të vendosë në dispozicion të çdo tatimpaguesi, të dhëna periodike në lidhje me ecurinë e kësaj reforme.
Sipas DPT shifrat, të cilat do të publikohen çdo javë përfshijnë numrin e trajnimeve të zhvilluara apo numrin e subjekteve të trajnuara, numrin e faturave elektronike të lëshuara, takimet me shoqatat të ndryshme biznesi, kontabilistë, grupe të veçanta interesi etj.
Në njoftim theksohet se me qëllim qartësimin e tatimpaguesve, zgjidhjen e problematikave që ata mund të kenë edhe pas implementimit të Fiskalizimit, janë organizuar takime të përjavshme me shoqata të ndryshme biznesi, kontabilistë, grupe të veçanta si transporti, exchange, farmaceutika etj.
Sipas informacionit të publikuar në faqen zyrtare më datë 1 Mars, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë një fushatë në terren, ku do të zhvillojë takime me bizneset e vogla, duke i vendosur në dispozicion çdo material dhe informacion të nevojshëm tatimpaguesve në lidhje me Fiskalizimin, me synim ofrimin e asistencës, për këtë reformë shumë të rëndësishme, si për Administratën Tatimore dhe gjithë tatimpaguesit.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.