Fiskalizimi, pa kosto për 10 mijë biznese/ Debate tek Ekonomia, shtyhet afati i aplikimit deri në Shtator 2020!
Bizneset me xhiro vjetore nga 0-2 milionë lekë , do të kenë mundësinë të fiskalizojnë faturat pa kosto duke përdorur platformën qendrore të administratës tatimore. Kështu ka vendosur Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, ndërkohë që propozimi i Ministrisë ishte që kjo lehtësi të krijohej për ato biznese me këtë xhiro por që lëshojnë deri në 350 fatura në vit, pasi është e papërshtatshme për bizneset e shitjes me pakicë që të bëjnë çdo veprim në sistem, ku duhet shënuar çdo produkt me përshkrimin e saktë. Si e tillë, megjithëse do të mbetet në dëshirën e subjekteve, Financat llogarisin që përfitues reale të jenë afro 10 mijë të tilla.
Komisioni votoi gjithashtu që neni që përcakton limitin e cash-it në arkë të jetë pjesë e ligjit të procedurave tatimore, ndërsa u shty sërish afati për zbatimin e fiskalizimit, duke u vendosur 1 Shtatori 2020 për fazën e parë. Sa i takon kostove të bizneseve, Ministria e Financave ka bërë një përllogaritje paraprake, ku rezulton që një subjekt do të paguajë 17.400 lekë në vit si pasojë e këtij projekti, nga 16 mijë që paguan aktualisht.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.