Fiskalizimi, pas qershorit të 2020-ës – Denaj: Kosto për bizneset 30 euro, 92% e territorit ka internet
Fiskalizimi do të ketë një kosto prej 30 euro për bizneset, të cilët do të duhet të përditësojnë sistemet e kasave fiskale.
Gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2020 në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ministrja e Financave, Anila Denaj tha se implementimi pritet të nisë në 6-mujorin e dytë të vitit që vjen, për shkak të kërkesës së bërë nga prodhuesit dhe tregtuesit e kasave fiskale.
Ndërkaq, deputeti Ilir Beqaj ngriti shqetësimin e mungesës dhe cilësinë e internetit në disa zona, çka sipas tij mund të sjellë gjoba të padrejta për shkak të mungesës së një shërbimi cilësor. Por, sipas ministres të dhënat tregojnë se 92% e territorit është e mbuluar më shërbim.
Diskutimet u fokusuan edhe në rimbursimin e TVSH-së për bizneset, ku sipas përfaqësuesve të ministrisë për vitin 2020 është planifikuar rimbursimi i 21 miliard lekëve.
Gjithashtu, referuar parashikimeve stoku i TVSH së parimbursuar do të zerohet në qershor të vitit 2021.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.