Fiskalizimi/Tatimet shpjegojnë fermerët lidhur me faturat: Detyrim i grumbulluesve
Në vijim të interesimit të vazhdueshëm të fermerëve dhe prodhuesve të tjerë bujqësorë lidhur me procedurat standarte të faturimit në kuadër të procesit të fiskalizimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se të gjithë subjektet e interesuara se nuk ka ndryshuar detyrimi ligjor për të lëshuar faturën që legjitimon një furnizim malli apo shërbimi por vetëm modalitetet e lëshimit të faturës.
“Shprehimisht, gërma a), e pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” parashikon se, nuk mbartin detyrimin të lëshojnë faturë për furnizimin e mallrave apo shërbimeve, prodhuesit bujqësorë, që janë ose jo subjekte të skemës së kompensimit, në përputhje me legjislacionin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.
Lidhur me këto lloj furnizimesh, pika 2, e nenit 7, të ligjit parashikon se, tatimpaguesit, subjekte të TVSH-së ose të tatimit mbi fitimin, apo të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për biznesin e vogël, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi, detyrohen të lëshojnë faturë si pranues të mallrave apo shërbimeve të furnizuara kur: blejnë mallra nga prodhuesit bujqësorë, që janë subjekte të skemës së kompensimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar” njoftojnë Tatimet.
Edhe pas fillimit të efekteve të plota të dispozitave të fiskalizimit, në rastin e grumbullimit dhe blerjes së produkteve bujqësore të tregtuara nga fermerët, fatura do të hartohet dhe fiskalizohet nga grumbulluesi blerës i produkteve bujqësore në harmoni edhe me kuadrin rregullues të fushës dhe sqarueset që DPT ka nxjerrë për këtë qëllim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.