Fitch paralajmëron SHBA – “Do humbasë vlerësimin AAA nëse vazhdon mbyllja e Qeverisë”
Agjencia e vlerësimit të kreditit Fitch, deklaroi se SHBA rrezikon të humbasë vlerësimin më të lartë sovran prej “AAA”, pasi mbyllja e tejzgjatur e qeverisë mund të ndikojë negativisht në tavanin e borxhit. Përplasja e Donald Trump me demokratët në Kongres për financimin e murit, ka çuar qeverinë në ditën e 19 të mbylljes. Sipas analistëve, niveli i borxhit po rritet dhe barra e interesit në Qeverinë amerikane po shtohet.
Fitch bën të ditur se duhet një rregullim fiskal për të shpërbërë këtë, përndryshe deficiti do të rritet dhe do të merret hua për të paguar interesin e borxhit. “Ka një përkeqësim fiskal në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Fitch.
Sipas agjencisë, nëse mbyllja e qeverisë vazhdon deri më datë 1 Mars dhe tavani i borxhit bëhet problem më i madh, atëherë do të duhet të konsiderohet vlerësimi AAA i vendit. Në këndvështrimin e vlerësimit të kreditit, më problematik është tavani i borxhit, sipas agjencisë. Fitch deklaroi se vlerësimi i kreditit të ekonomisë më të madhe në botë do të ndikohet nëse mbyllja e qeverisë transformohet në një destabilizim të theksuar të politikëbërjes fiskale.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.